Zëvendësministrja e Financave në Qeverinë e Shqipërisë, Vasilika Vjero ka deklaruar se Qeveria e Shqipërisë ka paraparë t’i vije në ndihmë rreth 60 mijë punëtorëve që kanë mbetur pa punë gjatë kohës së pandemisë, duke u dhënë rreth 230 euro, por gjithashtu ka paraparë t’i lehtësira edhe bizneset e mëdha dhe qiramarrësit.
Vjero në një intervistë për KosovaPress, fillimisht është ndalur te paketa e parë financiare që i adresohet tatimpaguesve të vegjël dhe të mesëm.
Ajo tha se Qeveria shqiptare ka miratuar një akt normativ i cili pret buxhetin e vitit 2020, duke alokuar një shifër rreth 12 miliardë lekë që do të shkojë në funksion të mbështetjes sociale për qytetarët dhe bizneset, sektorin e shëndetësisë, sektorin e mbrojtjes dhe njëkohësisht ka bërë një shtesë në fondin rezervë, i cili mund të përdoret për nevoja emergjente që dalin.
Pjesë e këtij fondi thotë se është edhe paketa financiare në shumën 6.5 miliardë që i drejtohet të gjithë atyre tatimpaguesve të cilët kanë një qarkullim vjetor nga zero deri në 14 milionë lekë, pasi që të punësuarit e këtyre tatimpaguesve e kanë gjetur vetën të papunë si rezultat i mbylljes së bizneseve me qëllim të parandalimin e përhapjes së COVID19.
“Është pikërisht rrjedhojë e këtyre urdhrave që shumë individë tashmë e kanë të pamundur që të fitojnë të ardhurat e tyre nga punësimi dhe pikërisht këtij numri individësh, që në bazë të llogaritjeve që ne kemi bërë, bëhet fjalë 60 mijë të tillë dhe 30 mijë biznese, do t’u vijë në ndihmë kjo paketë financiare. Këta individë do të marrin duke filluar nga muaji mars, prill deri në muajin maj një ndihmë financiare në vlerën 26 mijë lekë. Pjesë e kësaj pakete financiare është edhe shuma që do të shkojë për të mbështetur përfituesit e ndihmës ekonomike dhe ata punonjës që janë në skemën e papunësisë tashmë. Pikërisht dhe këto dy grupe do të kenë një mbështetje financiare e cila do të jetë sa dyfishi i asaj që merrnin deri në këto momente”, tha ajo.
Sipas saj, një punëtor që ka mbetur pa punë dhe që i takon këtyre bizneseve do të marrë 26 mijë lekë të reja ose rreth 220-230 euro si ndihmë financiare.
“Qeveria shqiptare ka menduar që t’iu vije në ndihmë edhe tatimpaguesve të mëdhenj të cilët kanë një xhiro shumë herë më të lartë dhe njëkohësisht kanë një numër shumë më të larë të punësuarish. Në ndryshimin e buxhetit është parashikuar edhe një fond rreth 100 milionë dollarë, i cili do të vihet si garanci sovrane për ata tatimpagues që do të duan në banka kredi afatshkurta të mbuluar pagesat e punonjësve të tyre. Është duke u punuar për ta detajuar këtë vendim të këshillit të ministrave, ku po punohet qoftë për të lidhur një marrëveshje në mes qeverisë dhe bankës qendrore e më tej bankave të nivelit të dytë por njëkohësisht po diskutohet edhe shuma që mund të marrin kredi nga tatimpaguesit, normat e interesit apo edhe periudha e faljes”, tha Vjero.
Ajo u ndal edhe te akti tjetër normativ i Qeverisë shqiptare që mundëson mospagesën e qerasë për një periudhë dy mujore.
“Nëse një qiradhënës dhe një qiramarrës janë në një marrëveshje kontraktuale dhe ndërkohë qiradhënësi ka humbur punën pasi aktiviteti është mbyllur si rezultat i veprimeve për të parandaluar përhapjen e COVID19, ka të drejt që mos ta paguaj këtë qere për periudhën prill dhe maj dhe kjo pagesë të riskskedulohet pas këtyre dy muajve. E njëjta gjë dhe e njëjta lo gjikë shkon edhe për studentët të cilët kanë marrë ambient jetese me qera dhe e njëjta gjë shkon për ata tatimpagues në fashën zero deri në 14 milionë lekë. Në rast se do të ketë problematika nga qiradhënësit lidhur me zbatimin e këtij akti normativ, është Administrata Tatimore e cila ka të drejt të vendos penalitete deri në pesëfishë të vlerës së qerasë, tha ajo, duke shtuar se kjo vjen si kërkesë e komunitetit të biznesit, pasi janë më shumë se 47 mijë biznese që do të përfitojnë nga kjo shtyrje e qerasë.
Derisa tha se nuk kanë paraparë ndonjë stimulim për mediat, Vjero përmendi shumën që do të përfitojnë mjekët dhe infermierët që janë të angazhuar dhe po punojnë në mënyrë heroike për të shpëtuar jetën e ndjerëve.
Ajo tha se 90 përqind e punëtorëve në institucioneve publike janë duke punuar nga shtëpia dhe deri më tani nuk janë prekur pagat dhe nuk është menduar që të përgjysmohet paga e tyre.
“Deri më tani nuk është menduar që të shkurtohet paga e punonjësve të administratës publike, ndërkohë ka një mendim të këshillit të ministrave dhe i dal disa ditë përpara ku është përcaktuar që paga e kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe ministrave do të përgjysmohet për një periudhë tre mujore, deri në momentin që ne mendojmë që do të ketë një ngadalësim të epidemisë”, tha Vjero.
Ajo përmendi edhe ndryshimet fiskale, ku tha se për të gjithë tatimpagues të cilët kanë detyrim të paguajnë tatimin mbi fitimin, depozitimi i bilanceve të tyre është shtyrë nga 31 mars sa ishte afati, në datën 31 korrik dhe për tatim paguesit që duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin dhe i përkasin fashës zero deri në 14 milionë lekë, pagesa e tatim fitimit për të ardhurat që kanë realizuar gjatë vitit 2019, është spostuar në gjashtë mujorin e dytë të vitit.
Njëkohësisht sipas saj, pagesat e kësteve për tatimin e fitimit për vitin 2020, janë spostuar deri në datën 31 dhjetor dhe për tatim paguesit e vegjël të cilët i përkasin fashës nga 5 deri 8 milionë lekë qarkullim dhe pagesa e kësteve të tatimit të thjeshtëzuar mbi fitimin, është spostuar në datën 20 shtator për dy këstet e para dhe deri në 31 dhjetor për dy këstet që i korrespondojnë gjashtë mujorit të dytë të vitit.
Sipas saj, ndryshimet në buxhet kanë ndikuar në ndryshime për sa i takon deficidin buxhetor apo edhe në rritjen ekonomike, por më e rëndësishme është që të kalohet kjo fazë emergjente dhe vendosja e të gjitha resurseve financiare dhe jo vetëm në funksion të përballimit të kësaj situate.