Ballina Lajme Opinion Virusët e orëve policore

Virusët e orëve policore

VIRUSËT E ORËVE POLICORE
Për ata ishim lodrat e natës, për popullin ishim herojt e ditës. Jeta ishte loto që luhej në fushën e paanë të fateve tona …

Nga Dijana TOSKA
Po ndihem e vogël në vendlindjen time dhe vetëm prehëri i nanës është ai që po më ngushëllon! Nën pushtetin miklues të ledhatimit të saj po i dëgjoj fëshfëritjet e shpirtit tim të cilat më grishin ta fsheh jetën nën ombrellën e kësaj dashurie.
A është kjo vdekja apo fillimi i një përvoje jetesore të re? A e kamë humbur frikën sepse vdekjen e kamë njohur nga brenda në momentin kur kam pushtuar frikën, apo dashuria është pasqyra e të vërtetës para vrullit të kujtimeve të mia!?
Prill 2020 Shkup
Orë policore 60 orëshe si masë preventive nga virusi corona. Dritat në arratisje dhurojnë boshësi bashkë me ndjenjën që nuk arrijnë të ndriçojnë terrin e rrugëve “këmbëprera” të Dardanisë dhe tymnajës që ka mbërthyer ajrin e jetës në gjithë rruzullin tokësor. Ekrani jep kumtin e vdekjes, kurse Nana tjerr gajlen e pafundësisë për fëmijët shtegtarë që kishin braktisur prajshëm prehërin-fole.

Prill 1989 Prishtinë
Orë policore mujore, shqiptarët në mënyrë masovike demonstronin duke kërkuar vetëm barazinë e tyre nacionale, ekonomike dhe politike në kuadër të ish- Federatës jugosllave, ndërkohë që akuzoheshin për kontrarevolucion, për gjoja presion ndaj serbëve dhe malazezve dhe shpërnguljen e tyre dhe për gjoja Kosovën e pastër etnike.
Sa më i madh ishte presioni aq më shumë rritej solidariteti mes popullatës, për rredhojë organizoheshin protesta e marshime protestuese, ndërsa greva e minatorëvetë Trepçës ishte kumti që vinte nga nëntoka e atdheut dhe shpirtit të robëruar për të na treguar se Kosova sadoqë është e vogël, ajo duhet sepse është e ytja.
23 mars 1989, Kosovës iu mor subjektiviteti i saj në ish-RSFJ dhe iu shfuqizua Kushtetuta e vitit 1974. Sllobodan Millosheviçi kishte prezantuar “revolucionin anti-burokratik” , apo „jogurt revolucionin“ në Kosovë dhe Vojvodinë, duke suprimuar autonominë dhe duke vendosur shtetrrethim, gjendje të jashtëzakonshme e orë policore.
Nën presionin dhe nën kërcnimin e armëve, si dhe me anë të votave joparlamentare, Kuvendi i Kosovës aprovoi amandamentet për ndërrimin e kushetutës së vitit 1974, që edhe de jure u suprimua autonomia e Kosovës. Më 28 mars 1989, në Beograd Kuvendi Fedrativ i Jugosllavisë ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës.
Autonomia e Kosovës u rrënua me tankse, me polici speciale dhe me viktima të shumta.Nëpërmjet masave represive drastike ndaj shqiptarëve, të cilët në Kosovë përbënin 80% të popullatës së përgjithshme, duke i larguar në mënyrë masive nga puna, me burgime dhe me vrasje të reja të njerëzve të pafajshëm.
Kosova për 10 vite vazhdoi të jetojë në burgun e shkaktuar nga virusi millosheviqian.
Gazetare në programin informativo politik në TVP.
Përgjegjësi, frikë,dhimbje,vuajtje, lodhje,kujdestari, ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë, pagjumësi në misionin për të informuar mbi lirinë që po e humbnim dhe vdekjen që po e shihnim me sy.Nuk kishte privilegje,as ndonjë rrogë shtesë, asnjë benefit, dhe kur askush as nuk i përmendi e as i kërkoi, veq përgjegjësisë që kishim marë mbi supet tona edhepse të vetëdishëm se nuk kishim kurçfarë mbrojtje dhe rezikonim edhe familjet tona.
Orë policore. Popullata e mbështetur për muri ndiqte me ankth në shtëpite tyre kronikën e gjendjes së jashtëzakonshme, priste lajmet e fundit të orës 23 për të mësuar se e nesërmja a do të jetë më e zezë. Priste një lajm, një sinjal të vogël shprese si të veprojë e si të ndihmojë. Redaktorët e lajmeve kishin barrën më të madhe të përgjegjësisë, Ali Alaj, Muhamet Mjeku, Jusuf Ferizi, Rexhep Kasumaj dhe disa gazetarë të besueshëm… Lajmet e emetuara përktheheshin dhe dërgoheshin në Serbi dhe vazhdimisht punonim nën presion dhe mbikqyrje të pandërprerë për atë se çka po informonim. Jo rrallë herë disa lajme të cilat ishin të rëndësishme, dilnin në etër dhe i zhduknim menjëherë në bashkëpunim me spikerët e devotshëm.
Ishte e trishtueshme paramesnata rrugëve të Prishtinës gjatë këthimit për në shtëpi, edhe terri tmerrohej nga zhurma vrastare e tankseve ushtarake dhe nga duhma e policëve të dehur e të armatosur deri në dhëmbë. Kontrollimi i trupit, talljet, prekjet vend e pavend, ishin rituali më i gërditshëm e poshtërues i policëve të ardhur nga gjithë Jugoslavija, e sidomos atyre serb e malazez. Për ata ishim lodrat e natës, për popullin ishim herojt e ditës. Jeta ishte loto që luhej në fushën e paanë të fateve tona …
Dashuri a çmenduri, si ti quaj momentet më të vështira të jetës sime!? Të jem mirënjohëse që më dëshmuan sa e fortë mund të jem, apo që nuk bëra një jetë boshe?
Sonte po vazhdoj të ndihem e vogël nën ledhatimin pa fjalë të Nanës time dhe qentë e vetmuar që po lehin rrugëve të Dardanisë, për dallim nga qentë e armatosur në Prishtinë në prag të kryengritjes shqiptare të cilët lehnin urrejtje kundër një populli të tërë ….sikur më japin lajmin se shpejt do bahet mirë.
Viruset çfarë do lloji qofshin ato, këpusin fidanet e jetës, prandaj jeto për të dëshmuar dashurinë tënde për kopshtin që nesër sërish do të mbushet plotë jetë…
Rrini n’shpi, pritni të rikthehet dielli i jetës mbi çatitë e errëta të mbushura me muzg korone.
Sfidoje virusin me shpresë për freskinë e jetës. Sepse ajo nuk është loto..

Shkup, 11 prill

Exit mobile version