Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se duhet të ketë pasoja për Kinën, nëse ky shtet me vetëdije ka pasur përgjegjësi për pandeminë e koronavirusit.
Duke folur në konferencën për gazetarë të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, presidenti amerikan shprehu keqardhje për vuajtjet që po i përjeton bota nga virusi i ri.
“Nëse ka qenë gabim, gabimi është gabim. Por nëse ata kanë qenë përgjegjës me vetëdije, po, atëherë duhet të ketë pasoja. Pandemia ka mundur të ndërpritet në Kinë para se të fillonte, por kjo nuk ndodhi. E tërë bota po vuan për këtë shkak”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Të premten, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e akuzoi Kinën për bllokim të qasjes në laboratorin e Wuhan-it, ku mund të ketë filluar së pari përhapja e koronavirusit. Ai tha se bota e ka këtë pandemi për shkak se Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë dështuar të ofrojnë të dhëna në lidhje me të në kohën e duhur.