Ballina Lajme Thaçi, sprovë e drejtësis

Thaçi, sprovë e drejtësis

Disa prej të akuzuarve për terrorizëm, të cilët nevojiteshin për të votuar, nga burgu i Shutkës i çuan në Parlament dhe ata fituan përfundimisht lirinë. Edhe Menduhi ka votuar për ndryshime kushtetuese, pse ata të tjerët të lirohen dhe ky të përfundojë në burg? Aq më tepër që nga porosia telefonike e Menduhit askush nuk ka përfunduar me kokë të çarë dhe në komë siç përfunduan disa të gjakosur ose të tërhequr zvarrë të pajetë pas hapjes së dyerve të parlamentit nga ana e deputetëve të liruar!

Nga Daut DAUTI

Nuk e kam menduar se do të vijë një ditë që të bëhem apologjet i ndonjë politikani. Apologjia e politikanëve sikur nuk kuptohet drejtë nga lexuesit edhe kur ndoshta mund t’i mbrosh me të drejtë. Nuk e di nëse lexuesit pajtohen me këtë. Mbroj parimin se më shumë duhet të merremi me fenomenet se me personat, më shumë me idetë dhe me veprat se me kriterin e simpatisë. Dorën në zemër, këto nuk janë gjëra që mund të ndahen kollaj, sepse, shpesh pas një dukurie qëndron një person dhe anasjelltas, ndaj dhe krijohen simpatitë ose antipatitë. Por, publiku ynë shpesh vuan nga simpati/antipatomanija, dhe shpesh nuk i shikon veprat por merren merret me personin, pa i analizuar gjërat në parim. Do të ishte normale që të shkruhet në mënyrë kritike për bartësit e dukurive, por jo dhe të jemi kritik vetëm pse dikush nuk na pëlqen për arsye (simpatishë) partiake.

KUR DREJTËSIA MERR NË THUA…

Ndoshta në mbamendjen e lexuesve mund të jem dukur se kam qenë më tepër kritik ndaj veprimit politik të PDSH-së dhe udhëheqësve të saj, e në veçanti për Menduh Thaçin. Kur kam thënë e kam shkruar diçka, kam qenë i bindur se kam qenë objektiv dhe nuk bëhem pishman për këtë. Mund të mos pajtoheni gjithnjë, por ky është këndvështrimi. Shumëkush mund të mos kujtojë dhjetë vjetët e fundit të kem shkruar as mire as keq, edhe pse ndoshta është dashur. Jam përmbajtur për shkak të pozicionit që kam pasur.

Këtë hyrje e bëj që t’i jap alibi vetës që të shkruaj për mospajtimin tim me dënimin prej 3 vjetësh për Menduh Thaçin për shkak të “porosisë” së tij drejtuar anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (Bedredin Ibrahimit)për të ndihmuar VMRO-në në Strumicë. Jo pse tash kam ndërruar dhe jam i afërt me qëndrimet politike, ose se dua ta përkrah veprimin që ka bërë. Jo. Natyrisht, jam kundër votimit të porositur në KSHZ nëpërmjet bashkëpartiakut të tij, sepse është thjeshtë një shërbim ish-partnerit të koalicionit, një solidaritet që çon në vendim arbitrar në KSHZ. Dhe, me sa mbaj mend, në “kriterin” e përgjigjes pozitive ndaj ish-shefit të DSK-së, kur ai ka kërkuar këtë shërbim, është një lojalitet ose solidaritet apriori, e jo ngase vërtetë janë bërë shkelje të procesit zgjedhor. Dhe një element plotësues që e ka shtyrë bashkapartiakun e liderit të PDSH-së për të votuar sipas kërkesës së ish shefit të DSK-së, ka qenë inati ndaj partisë rivale shqiptare, që “ia ka vjedhë” votat PDSH-së në një komunë tjetër…Vota është e pacënueshme dhe thelbi i demokracisë dhe kush e shkel atë duhet të marrë dënimin e merituar. Vendimi i anëtarit të PDSH-së me porosi nga lartë mund të jetë një cenim, por për këtë nuk mund të jem kategorik, sepse nuk jam organ hetues që ta di tamam çka ka ndodhur në Strumicë, për të cilat vota po përpiqet PSP-ja ta djegë edhe liderin e PDSH-së bashkë me disa të tjerë. Por, unë, megjithatë, në këtë rast jam me Menduh Thaçin dhe jam kundër vendimit të gjyqit, i cili mund t’i kishte faktet për një vendim të tillë. Me gjyqin jam nëse ai mbron drejtësinë dhe votën e pacenueshme të qytetarit. Sepse, përfundimisht, duhet ta marrin porosinë të gjithë ata “të fortë” që i fusin në zjarr aktivistët më të ulët partiakë për t’i kryer ndonjë shërbim partisë duke rrezikuar të hanë burgun. Jam për atë që edhe të fortët ta marrin porosinë se nuk munden më të kërkojnë diçka për çka dikush do të digjet. Në këtë mënyrë, shtrohet përgjegjësia dhe lojaliteti ndaj shtetit ligjor…Kjo sidomos si mësim për të ardhmen dhe për shtimin e besimit në institucione. Dënimi i tyre e ka këtë porosi dhe duhet të merret seriozisht.

Por, te ky vendim ndaj Menduh Thaçit, Bedredin Ibrahimit, Sasho Mijallkovit dhe disa anëtarëve tjerë të KSHZ-së, çuditërisht e kam patjetër të jem në anën e tyre, jo për shkak të tyre, por për shkak të parimit. Sepse nuk bëhet më fjalë për drejtësi, por për mosdrejtësi…Shumëçka që ka ndodhur kohëve të fundit, na shtyn të mendojmë se sa i padrejtë mund të jetë një “vendim i drejtë”(“pajtimi” ose falja për 7 prillin) nëse në një shtet nis të veprojnë kutet e ndryshme të drejtësisë. As një javë pas vendimit për lëndën “Titanik 2”, gjyqi sjell një tjetër vendim, me të cilin djali i një deputeteje, në vend se me burg, dënohet vetëm me kusht! Rastësish ose jo, djali është i deputetes e cila iku nga koalicioni parazgjedhor i VMRO-së për t’iu bashkangjitur 80 votave për ndryshime kushtetuese. Pa dëshmi është vështirë të gjykojmë, por nuk jemi aq naivë të mos supozojmë se në negocimin e votës së saj për ndryshimet kushtetuese(për ndërrimin e emrit), ka qenë pikërisht lirimi i djalit të saj… Dalëngadadalë gjërat e prapaskenës po dalin në shesh dhe sigurisht do të dalin edhe më edhe për disa persona të tjerë që s’kanë lidhje me faljen e 27 prillit, e janë në rrugë e sipër t’i ikin përgjegjësisë për vepra të caktuara.

Nuk jam për dënimin e Thaçit edhe ngase kohë më parë nga dënimi disavjeçar me burg u liruan personat që ishin akuzuar për vepër terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues. Dënimi për këtë lloj vepre është më i madh se maksimumi që mund të merrte Menduhi ose Bedredini. Disa prej të akuzuarve për terrorizëm, të cilët nevojiteshin për të votuar, nga burgu i Shutkës i liruan për të shkuar drejt në Parlament dhe ata fituan përfundimisht lirinë. Edhe Menduhi ka votuar për ato ndryshime, pse ata të tjerët të lirohen dhe ky të përfundojë në burg? Aq më tepër që nga porosia telefonike e Menduhit askush nuk ka përfunduar me kokë të çarë dhe në komë siç përfunduan disa të gjakosur e të tërhequr zvarrë të pajetë pas hapjes së dyerve të parlamentit nga ana e deputetëve!

Nuk e parapëlqej përsëritjen e qëndrimeve në shkrime, por këtë ta imponojnë rrethanat. Ndaj dua të theksoj me plot bindje se Menduhi është viktimë e defektit që polli falja selektive. Me atë falje selektive gjithkush më e ka të qartë se u lëkund në themel shteti juridik, sepse me kritere politike u zgjodhën një kategori njerëzish që do të faleshin, sepse për shërbimin e tyre kishte nevojë momenti historik e politike(pra, votimi i ndryshimeve kushtetuese), ndërkohë që u lanë të tjerë të “shijojnë” forcën e drejtësisë. Por, parimi i së drejtës nuk funksionon në mënyrë selektive. Nëse bëhet presedent që të lirosh dikë nga veprat me ndërhyrje politike në gjyqësi, atëherë hapi më i drejtë është që zbatimi i ligjit të mos jetë në mënyrë selektive. Për fat të keq, kjo qasje selektive do të prodhojë viktima tjera edhe pas Thaçit e Bedredinit, sepse ka disa lëndë të ngjashme ku vjen në shprehje kuti i dyfishtë. Sepse në çdo hap parimi i drejtësisë po vihet në sprovë. Nëse telefonatat e përgjuara ishin dëshmi për veprën e Thaçit, gjyqi në disa raste të tjera, incizime të ngjashme nuk i mori parasysh si dëshmi. Opozita e tashme vazhdon ta përdorë këtë argument. Me të drejtë. Sepse përderisa “digjen” opozitarë e kursehen të tjerë, atëherë cila është poenta të vazhdohet me lëndë të këtilla. Në rastin e lëndës së Thaçit, gjyqësia bie ndesh edhe me parimin e përgjegjësisë së organeve kolektive. Vendimin e KSHZ-së e kanë vërtetuar dy gjykata(nuk po hyj nëse e kanë bërë me të drejtë ose jo), gjykatësit e të cilave nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për shkak të imunitetit, ndërkaq Bedredini me shokë, si pjesë e atij organi kolektiv, që përgjigjet vetëm para parlamentit, të merren në përgjegjësi penale. Aq më tepër, ngase ky vendim i KSHZ-së nuk ka pasur ndonjë ndikim në rezultatin zgjedhor.

Prandaj, edhe unë që nuk jam shquar si fan i filozofisë politike të Menduhit, sot jam me Menduhin dhe Bedredinin dhe e përkrah pa rezervë heqjen e dënimit ndaj tyre, për një vepër shumë më beninje se disa vepra të tjera, për të cilat u liruan kryesit, sepse për ta kishte nevojë shteti në një moment kyç, për çka dhe e flijoi drejtësinë. Shteti sot ka nevojë edhe për Menduhin deputet, sepse ka dhënë kontribut jo më pak se të liruarit tjerë deputetë në këto ndryshime kushtetuese dhe në reformat e nevojshme për eurointegrimet.

Madje jam dhe kundër që e gjithë kjo të jetë bërë edhe si skenar që në fund të lirohet me ndonjë arsyetim në shkallën tjetër gjyqësore. Sepse nga ky lloj teatri nuk kemi nevojë, por ajo që ka nevojë, është korrektësia dhe sinqeriteti ndaj qytetarëve. Prandaj me ngulm mbroj qëndrimin që nëse tashmë është shkelur parimi i mosndëshkimit, atëherë le të shkohet gjer në fund, që parimi të vlejë njësoj për të gjithë dhe pa teatralitete(siç është kur dikush herë futet, e herë e nxjerrin nga paraburgimi, varësisht nga “rrethanat” e nevojës!).

PSP LE T’I VAZHDOHET MANDATI PAS FALJES JO SELEKTIVE

Javën që po lëmë pas, shënoi një zhvillim interesant edhe sa i përket fatit të Prokurorisë Speciale. Kryeministri Zaev dhe lideri i opozitës, Mickovski, u takuan dhe u morën vesh që të punojnë bashkë për fatin e Prokurorisë Speciale Publike përmes dy grupeve punuese që do t’i harmonizojnë qëndrimet në të ardhmen për rregullativën ligjore që do ta zgjidhte edhe statusin e PSP-së. Pavarësisht se insistohet që ndryshimet ligjore të bëhen para zgjedhjeve presidenciale, një gjë e tillë duket se është jo reale, por me rëndësi është që pushteti dhe opozita të punojnë në një çështje që është parakusht për reformat në drejtësi.

Mirëpo, nuk do të kishte sukses reforma nëse së pari nuk pastrohet në pikëpamje principialiteti çështja e lëndëve si kjo e Menduh Thaçit ku duket qartë se drejtësia ka marrë në thua dhe me rëndësi të veçantë është që të shfrytëzohet momenti që të vihet një rend në trajtimin e veprave. Mendimi im është që prokuroria të shndërrohet në një organ i cili do të kishte autorizime të ndjekë veprat e korrupsionit dhe keqpërdorimet nga pozitat e pushtetit, diç që ende funksionon në Rumani që është makth për pushtetarët. Por, ky pozicion i ri për PSP-në do të duhej të vlente pas një zbatimi joselektiv të faljes(e cila u mbyll si shpejtë, duke lënë të hutuar edhe ekspertë edhe opinionin publik). Ndoshta në fund të mandatit mund të kyçet në në lojë edhe një herë nënshkrimi i Gjorge Ivanovit dhe të marrë fund kjo maskaradë politiko-juridike. Ma merr mendja se edhe ai do të donte të lironte ndonjë nga përkrahësit e tij nga partia që e solli në pozitën e shefit të shtetit!

Marrëveshja për një fillim të mund të ishte një model i faljes(në njërën anë) dhe ndalimit për t’u marrë me veprimtari politike gjithë aktorëve që janë pjesë e “bombave” të famshme dhe që gjyqi ka konstatuar keqpërdorime. Fill pastaj do të duhej t’i jepeshin kompetencat e reja PSP-së që të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe anomalive tjera që lidhen me pushtetin.

Exit mobile version