Dhomat e Specializuara në Hagë njoftojnë se ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës së këtij institucioni më 9 nëntor.
Seanca është caktuar të nisë nga ora 15:00 dhe do të jetë publike.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.
Më 5 nëntor, Thaçi, së bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin njoftuan për konfirmimin e aktakuzës. Që të dy dhanë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike.
Thaçi, Veseli si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.