Vetëm nga sektori i ndërtimtarisë janë larguar rreth 12 mijë punëtorë gjatë vitit të kaluar, e ky fakt është shqetësues thonë nga sindikata e ndërtimtarisë. Kryetari i kësaj sindikate Ivan Peshevski thotë se punëtorët ende nuk janë në pozitën që duhet, ndonëse në vitin që lamë pas arritën një sukses duke nënshkruar marrëveshjen kolektive për të punësuarit në sektorin publik.
“Pagat janë vazhdimisht në rritje, por për ne si përfaqësues të sindikatave mendojmë se ende nuk mjaftojnë për të mbajtur punëtorët, duke pasur parasysh se në sektorin e ndërtimit vitin e kaluar janë larguar rreth 12 mijë punëtorë dhe kjo është një fakt shkatërrues, për një shtet që aspiron për në Bashkimin Evropian. Thjesht t’i largojë punëtorët në perëndim për kushte më të mira dhe paga më të larta në vend që punëdhënësit dhe shteti t’i mbajë ata këtu”, deklaroi Ivan Peshevski – Sindikata e Ndërtimtarisë dhe Industrisë.
Kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari dhe Industri Ivan Peshevski, thotë se sektori i ndërtimtarisë ka ndikimet më të këqija të jashtme dhe kushte të tilla pune që nuk respektohen siç duhet me mjete mbrojtëse personale.
“Për sa i përket sektorit privat, punëtorët në një pjesë të madhe të kompanive janë të ekspozuar ndaj presioneve të tmerrshme për shkak të kushteve të këqija të punës, mund të marrim ndërtimtarinë, industrinë e metaleve, agrokompleksin etj., ku në ditët intensive të ngjeshur atje vërtet punohet jashtë orarit dhe shumë orë te paregjistruara, ku raportojmë vazhdimisht në inspektoratin shtetëror të punës”, tha Ivan Peshevski – Sindikata e Ndërtimtarisë dhe Industrisë.
Më 17 nëntor, gjatë gërmimit për ndërtimin e një objekti, në rrugën “Pirinska” në Shkup ka humbur jetën një punëtor i cili drejtonte ekskavatorin. Pas hetimit të bërë nga Inspektorati i punës doli se gropa e ndërtimit nuk ishte i siguruar siç duhej dhe nuk janë ndërmarrë kushte të sigurta për punëtorët. Ky është rasti i fundit i vdekjes së një punëtori në vendin e punës, në fakt vetëm një nga 16 rastet të cilet ka evidentuar Inspektorati i punës për vitin 2023, ndërkaq numri i personave të lënduar për vitin që lamë pas gjatë kryerjes së punës është 2005.