Prezantimi i policisë komunale nëpër komuna, e cila do të kujdeset për rendin komunal lokal, pastërtinë dhe ruajtjen e mjedisit jetësor, mbetet një premtim që nuk do të realizohet gjatë mandatit të kësaj Qeverie. Edhe pse ky shërbim i ri ishte i paraparë në Programin e Qeverisë 2020-2024 në pjesën për mjedisin jetësor si një projekt që do të fillonte të funksionojë që në vitin 2021, as tre vjet më pas në rrugë nuk ka policë komunalë, shkruan Meta.mk.
Nuk është gati as ligji që do të rregullonte të drejtat dhe detyrimet e këtij shërbimi të ri dhe versioni fillestar i ligjit ka ngecur në procedura administrative dhe përcjellje të pafundme të përgjegjësive.
Për këtë arsye ne mund të konstatojmë se ky premtim është i pa realizuar.
Sipas Programit të Qeverisë, policia komunale duhej t’i plotësonte shërbimet e inspektimit dhe eko patrullave për ta përforcuar kontrollin ndaj të gjithë atyre që e ndotin mjedisin jetësor.
“Do të propozojmë një ligj me të cilin do të themelohet policia komunale në nivel lokal, me të cilin inspektorët ekzistues komunal dhe Eko Patrullat do të mund të marrin masa bashkërisht ndaj autorëve të aktiviteteve të dëmshme: hedhja e mbeturinave në vende që nuk janë të destinuara për këtë qëllim, krijimi i deponive të egra nga mbeturinat ndërtimore dhe mbeturinat e përziera komunale, djegia e gomave dhe substancave të tjera shumë të dëmshme, djegia dhe shkatërrimi i kontejnerëve, etj. me dënime të mandatare. Policia komunale do të fillojë të funksionojë në vitin 2021”, thuhet në Program.
Ministrja e mjedisit jetësor, Kаја Shukovа, vitin e kaluar tha se pastrimi i deponive ilegale nëpër komuna është i kotë, nëse ato krijohen sërish. Ajo theksoi se është i nevojshëm prezantimi i policisë komunale, e cila do mund t’i dënojë këta autorë në vendin e ngjarjes.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) konfirmojnë se ligji për policinë komunale nuk është ende gati dhe se duhet të punohet në versionin përfundimtar.
“Sa i përket prezantimit të policisë komunale, ka një draft-version të konceptit të ligjit, ndërsa i njëjti do të përpunohet në kuadër të asistencës teknike në projektin e BERZH-it për mbeturinat”, theksojnë nga MMJPH.
Prezantimi i policisë komunale do të nënkuptojë që komunave do tu jepet e drejta të vendosin masa dhe të ndërmarrin aktivitete për respektimin e rendit komunal, higjienës publike, mbrojtjen e gjelbërimit, ujit, hapësirave publike, ndotjes së ajrit dhe tokës, depozitimin e mbeturinave, mirëmbajtjen dhe sigurinë gjatë eventeve me rëndësi lokale, mbrojtjen e pronës dhe objekteve në pronësi të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të pronës dhe objekteve të institucioneve të themeluara nga pushteti lokal. Punonjësit e policisë komunale do të mund t’i ndihmojnë inspektorët komunalë gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese.
Ligji për policinë komunale është kërkesë e kahershme e BNJVL-së, thonë nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, dhe theksojnë se vitin e kaluar versioni fillestar i përgatitur nga Qyteti i Shkupit me iniciativën e tyre është plotësuar me mendime edhe nga komunat.
“Për këtë iniciativë BNJVL-ja dhe kryetarët e komunave në raste të ndryshme i kanë njoftuar shumicën e ministrave në Qeveri, nga ku parimisht kanë marrë përkrahje për një kompetencë të tillë të re të komunave, por është i nevojshëm një harmonizim me rregulloret tjera që janë në fuqi në legjislacionin tonë. Pas një diskutimi të gjerë në seancën e Këshillit drejtues të BNJVL-së në nëntor të vitit të kaluar, u vendos që të formohet një trup punues i përbërë nga kryetarët e komunave dhe profesionistëve nga administrata nga komuna e Kriva Pallankës, Gjorçe Petrovit, Kumanovës, Qendrës, Studeniçanit, Ohrit, Butelit, Çairit dhe e Qytetit të Shkupit”, theksojnë nga BNJVL-ja.
Nga atje thonë se nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Sekretariati për Legjislacion kanë kërkuar që të propozojnë anëtarë, por formimi i grupit të punës do të shtyhet për disa muaj për shkak të zgjedhjeve.
“Grupi i punës do të duhet t’i përcaktojë të gjitha pengesat ligjore për një kompetencë të tillë të re të vetëqeverisjes lokale dhe të propozojë dispozita për ndryshimin, plotësimin ose harmonizimin e mëtutjeshëm të rregulloreve të veçanta që janë në fuqi”, thonë nga BNJVL-ja.
Përveç Qeverisë, mundësinë e prezantimit të policisë komunale në programet e tyre e kanë paraparë edhe shumë kryetarë të komunave, përfshirë këtu edhe kryetarin e Komunës Aerodrom të Shkupit, Timço Mucunski. Nga kjo Komunë thonë se për realizimin e këtij premtimi i presin ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Ju informojmë se për realizimin e projektit “Eko Policia” janë të domosdoshme ndryshime ligjore dhe në atë drejtim të njëjtat janë duke u përgatitur si projekt në nivel të më shumë komunave, përmes Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale ( BNJVL), thuhet në përgjigjen nga Komuna e Aerodromit.