Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë pse niveli i vdekjes nga coronavirusi është kaq shumë më i ulët në Gjermani sesa vendet e tjera. Gjermania ka parë vetëm 44 vdekje nga virusi deri më tani, pavarësisht se regjistroi 16,290 infeksione – më shumë se kudo tjetër përveç Kinës, Italisë, Iranit dhe Spanjës.
Kjo përfaqëson një shkallë fataliteti prej vetëm 0.3 për qind, krahasuar me 7.9 për qind në Itali – duke rritur shpresat se Gjermania mund të bëjë diçka të drejtë që vendet e tjera mund ta ndjekin, shkruan The Telegraph.
Por ekspertët kanë paralajmëruar se Gjermania thjesht mund të jetë në një fazë të hershme të pandemisë, dhe se nivelet e vdekjeve së shpejti mund të rriten.
Ata tregojnë edhe faktorë të tjerë që mund të ndihmojnë për të ulur nivelin e vdekjeve në Gjermani.
“Gjermania ka pasur një proces testimi shumë agresiv”, tha Dr. Mike Ryan, drejtori i urgjencave shëndetësore në Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH).
“Që nga fillimi, ne u kemi bërë thirrje sistematike mjekëve tanë që të testojnë njerëzit”, tha Prof Lothar Wieler nga Instituti Robert Koch i Gjermanisë.
“Ne mund të sigurojmë testime në një shkallë të lartë në mënyrë që të mund të shohim lehtë fillimet e epidemisë”.
“Italia ka një popullsi shumë më të vjetër. Dhe kjo do të thotë që shkalla e fatalitetit mund të duket më e lartë”, tha Dr Ryan.
Shifrat zyrtare tregojnë se shkalla e infeksionit midis grupmoshës më të rrezikuar, ata të moshës 60-vjeç e lartë, janë shumë më të ulëta në Gjermani sesa gjetkë.
Kjo mund të jetë thjesht një rast fati, por mund të jetë që duke identifikuar raste herët, Gjermania ka qenë në gjendje të gjurmojë zinxhirët e infeksionit dhe të parandalojë që virusi të përhapet më shumë.