Prerja në mënyrë masive dhe e pakontrolluar e pyjeve është edhe një nga arsyet kryesore që vendi ka ajër të ndotur, kjo pasi pyjet ndikojnë drejtpërdrejtë në pastrimin e ajrit por edhe në uljen e zhurmës nëpër qytete. Shqetësuese sipas ambientalistëve është fakti se as qytetarët nuk mund të bëjnë asgjë për të parandaluar prerjet ilegale.
“Të mundësohen buxhete më të mëdha në institucionet kompetente, qoftë ata komunat, ministri të caktuara ose institucione që drejtpërdrejtë duhet të kujdesen për pyjet që të mundësohen edhe video kontroll 24 orësh, do të thotë të mundësohet mbulim me kamera, por të mundësohen edhe ekipe në terren, do të thotë edhe më tepër inspektorë dhe sanksione më rigoroze”-tha Eli Pesheva, Iniciativa O2.
Nga ndërmarra “Pyjet e Maqedonisë” thonë se më së shumti priten drutë për ngrohje dhe ka rajone të pyjeve të cilat tashmë janë të rrezikuara.
“Qëllimi kryesor i prerjes së padrejtë janë drutë për ngrohje. Kemi më shumë vatra në Maqedoni. Ato janë rajoni i Strugës-Kërçovës në pjesën perëndimore. Në anën lindore të Maqedonisë një pjesë e rajonit të Strumicës e Maleshevës. Këto janë vatrat më të mëdha ku kemi evidentuar prerje të padrejtë më të madhe të druve”-pohoi Nikollço Kirov, Ndërmarra e Pyjeve.
Nga kjo ndërmarrje thonë se që nga viti 2018 deri në shtator të këtij viti kanë bërë 1724 paraqitje për prerësit ilegal të druve. Nga të njëjtit kanë sekuestruar 5432 metër kub dru, duke shkaktuar dëm deri në rreth 80 milion denarë. Kirov shton se përveç prerësve ilegal dëm i madh i pyjeve bëhet edhe nga zjarret që shkaktohen, ku në të shumtën e rasteve shkaktar është faktori njeri.