Bota është e thjeshtë vetëm në sisteme totalitare. Aty ka më pak ligje, por janë më brutale. Cdo gjë është e ndaluar, nëse nuk është e lejuar. Të gjithë janë fajtorë derisa nuk dëshmohet e kundërta. Ose je pa kushte me Udhëheqësin, ose po punon kundër shtetit. Për t’u mbrojtur prej këtyre rreziqeve ekziston vetëm një ilac: Liria e Shprehjes. Prandaj ajo është viktima e parë e besimtarëve.
Mosha madhore nuk arrihet domosdoshmërisht ditën kur dikush i rrafshon 18 vjet, prej momentit kur ka lindur. Në kuptimin e pjekurisë mosha 18 vjecare është thjesht edhe një ditëlindje e radhës, ditë kur familja dhe të afërmit e përgatisin edhe një ëmbelësirë, këtë herë me 18 qirinj dhe ndonjë dhuratë. Ka konsensus në mesin e shkencëtarëve që parimisht rreth kësaj moshe shumica prej nesh maturohemi mjaftueshëm sa për t’u konsideruar të rritur dhe bëhemi gati për një jetë të pavarur.
Mirëpo, për një kategori njerëzish mosha madhore përvec me ditëlindje përcaktohet edhe me ndihmën e psikiatrit. Nëse jo përmes librave, sigurisht që një gjë të tillë e keni parë në filma, kur për një person që e ka kryer një krim, një panel mjekësh konstaton që ai ndonëse 30 vjet, psiqikisht është i zhvilluar sa një fëmijë i moshës 12 a 13 vjecare, ose edhe më pak.
Nuk dëshiroj tash të lëshohem në arsyet përse dikush mund të ketë më shumë vite e më pak mend. Janë të ndryshme ato, kurse shkaqet përcaktohen prej personave kompetent. Ne vetëm i shohim pasojat dhe simptomet, ose edhe mund të jemi viktima.
Prandaj, as ky shkrim nuk u dedikohet atyre. Jo pse do të shkruaj këtu për fizikë kuantike, ose për mundësinë e zbulimit të vakcinës kundër koronavirusit, sepse në këto fusha edhe unë jam një 10 vjecar, ose edhe më pak. Jo, ky është një shkrim që në esencë do të duhej të ishte për persona që kanë “common sense”, një Gjykim Normal, por që fatkeqësisht po tregohet që edhe gjykimet normale janë një prag i lartë për një pjesë të popullatës. Këtu parasëgjithash e kam fjalën për mënyrën se si ne duhet të sillemi në shoqëri, bazuar në njohuritë që I kemi marrë nga shkolla fillore dhe e mesme, njohuritë që I kemi marrë në familje, nga leximet eventuale që duhet t’I bëjë një I ri, ose e re, filmat e shikuar, si dhe pjesëmarrje në shoqëri, përmes aktiviteteve të ndryshme. Këto do të duhej të ishin bazë e mjaftueshme, pa kualifikime shtesë, që asnjë person nuk guxon ta marrë një send që nuk është i tij, përvec nëse e ka blerë, asnjë person nuk guxon të futet në oborrin a shtëpinë e dikujt pa e pyetur paraprakisht, asnjë person nuk guxon që ta sulmojë tjetrin në rrugë, e lëre më ta vras. Për t’i ditur këto nuk kërkohet që të shkohet në specializime të vecanta. Pas moshës 18 vjecare ti je përgjegjës nëse I shkelë ndonjërën prej rregullave të mësipërme, përvec nëse kolegjimi I mjekëve e konstaton e demanton moshën tënde, duke t’I zbritur disa vite.
A jemi në rregull deri këtu?
Këto që u thanë më sipër janë gjërat më bazike. Këto na ruajnë ne prej të tjerëve dhe të tjerët prej nesh.
Mirëpo, nëse nuk jemi duke jetuar në sistem totalitar, bota nuk është kaq e thjeshtë. Ka më shumë ndarje dhe nuanca. Ndarjet dhe nuancat kanë ardhur dhe janë theksuar cdoherë e më tepër, posacërisht, në 100 vitet e fundit. Të drejtat individuale kanë triumfuar mbi të drejtat kolektive. Ka të drejta të përgjithshme, të cilat I ka secili qytetar, por pastaj ka edhe të drejta për kategori të caktuara qytetarësh. Aq shumë ka luftuar Perëndimi për një gjë të tillë sa tash atje është common sense, që do të duhej ta dinte secili, që një homoseksual dhe një heteroseksual janë të barabartë, që një hebre dhe një gjerman janë të njëjtë, që një katolik dhe një mysliman janë të njëjtë në cdo vend dhe pa marrë parasysh numrin.
Kjo nuk ka qënë gjithmonë kështu. Disa shekuj më parë komuniteti që ishte shumicë ia përcaktonte rregullat atij që ishte pakicë. Të ishte gay ishte vepër penale. Dënoheshe. Madje jo shumë larg, para disa dhjetëra vitesh. Jo të gjithë ishin të kënaqur me këtë ndryshim shoqëror. Grupet radikale religjioze, të gjitha, e kanë të pamundur që të bindën edhe sot e kësaj dite që dy burra mund të martohen, të bëjnë sex, e të adoptojnë fëmijë.
Për të arritur në këtë pikë, ku shoqëria e pranon ndryshimin, ku të drejtat individuale janë më të rëndësishme se ato kolektive, ku asnjë politikan nuk është i shenjtë, është deshtë të luftohet shumë. Kjo nuk do të mund të bëhej realitet, nëse paraprakisht nuk do të ishte bërë realitet liria e shprehjes. Ky është momenti kur ka nisur ndryshimi I madh. Pa lirinë e shprehjes, pa media të lira, bota në të cilën ne jetojmë sot do të dukej krejt ndryshe. Prandaj viktima e parë e secilit diktator dhe autokrat është kjo liri. Sigurisht që për ta bërë një gjë të tillë, për ta ndaluar këtë liri, Vladimir Putin, regjimet teokratike në Lindje të Mesme, nisen prej parimeve ‘fisnike’, si bie fjala arrestimin e gazetarëve si spiuj të shteteve të tjera, si cenues të gjërave të shenjta (cfarëdo qofshin ato), si shpifës etj., etj. Një pjesë e shoqërisë është e prirur për t’u besuar këtyre konstatimeve si dhe është e gatshme për t’ia deleguar ato shtetit, udhëheqësit të tij, disa kompetenca më tepër. Liria e shprehjes është një e drejtë që më shumë e ndien mungesën e saj se sa prezencën e saj. Kur ka liri të shprehjes askush nuk del në rrugë për të festuar këtë të drejtë, sepse merret e mirëqenë. Kur ajo mungon atëherë njerëzit janë të prirur për ta kërkuar atë, atëherë e vlerësojnë mungesën e saj. Kurse diktatorët, që në rrethana normale do të ishin viktimat e kësaj lirie, mohimin kësaj lirie, mbylljen e mediave, kujdesën që të mos e kërkojnë me gojën e tyre. Kjo gjë vjen nga poshtë. Cdo gjë fillon me protesta të orkestruara në rrugë, me revoltë të organizuar.
A nuk filloi djegia e librave me iniciativën e studentëve në Gjermaninë naziste, e jo me urdhër të Fyhrerit? U krijua një klimë e tillë kundër librit, sa dolën masat në rrugë për t’I djegur ato, që të mbrohej Gjermania?
Dikush tjetër në një cep të botës vendosë që t’i qeroj hesapet me një media, a me një gazetar, sepse ata po i përdhosin vlerat fetare, ose kombëtare.
Implementimi i këtyre politikave bëhet ose në rrugë joformale, kur shteti i mbyllë sytë përpara dhunës dhe frikësimit të mediave, e këto të fundit pastaj operojnë brenda kushteve të lejuara, ose shteti shkon një hap më tutje dhe këtë gjë e përfundon me akt.
Nominalisht në Rusi, në Turqi dhe në Hungari mediat janë të lira, por vetëm në letër. Kurse në Lindje të Mesme nuk janë as në letër. Efekti është përafërsisht I njëjtë.
Bashkë me ndalimin e shpifjeve, dezinformimit eventual, shteti e ka ndalur edhe informimin e drejtë. Në emër të luftës kundër Fake Neës, shtetet e luftojnë Real Neës. Digjet e gjithë shtëpia për ta luftuar një mi që ndoshta ndodhej brenda saj, mirëpo që propaganda pro pushtet luftimin e miut e paraqet shumë më të rëndësishëm se sa komplet vlerën e shtëpisë.
Në kohën moderne një frymë të tillë e solli Presidenti Amerikan, Donald Trump. Mirëpo themeli I demokracisë amerikane është mjaft I fortë, sa po I reziston edhe më tutje impulseve jodemokratike.
Mirëpo, fatin e Amerikës nuk e kanë edhe shtetet e tjera, si bie fjala Kosova, që kanë përvojë më të vogël demokratike, kurse shkalla e edukimit të njerëzve është aq e varfër sa shumëkush do t’i duartrokiste secilit hap që do të kishte për qëllim ngulfatjen e lirisë së shprehjes, në emër të luftërave të ndryshme ‘fisnike’. Kurse këto beteja janë shumë të komplikuara për t’i mbrojtur në publik. Për ta kuptuar dhe mbrojtur një të drejtë të kësaj natyre kërkohet pak më shumë përgatitje se sa mosha madhore, kërkohet pak më shumë përgatitje se sa common sense. Në këtë kurth bijnë edhe shoqëri më të avancuara, sic është për shembull Hungaria, ose Polonia, ose edhe Rusia. Debati për lirinë e shprehjes është i komplikuar. Stereotipizohen të gjithë gazetarët si shpifës, përmes një shpifje, stereotipizohen të gjithë gazetarët si agjentë të huaj, vec pse ndoshta është një, ose pse inskenohet se është një. Pastaj vendimin e marrë turmat me shumicë të votave, diku në shesh, ose diku në rrjete sociale. Implementimi i tyre bëhet në ambiente të hapur dhe me konsensus.
Kosova nuk do të duhej të rrëshqiste kaq shpejt dhe kaq keq drejt këtij rreziku.