PCR testi negativ u bë kusht për udhëtim në vendet në mbarë rajonin, me përjashtim të Shqipërisë dhe Turqisë.
Kushti nuk vlen për tranzit nëpër vendet gjatë hyrjes në vendkalimin kufitar për komunikacion ajror, si dhe në vendkalimin tokësor, por nevojitet të nënshkruhet deklaratë për tranzit dhe të lëshohet vendi në afat prej tre orëve.
Serbia këtë kusht e vendos prej sot, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, Mali i Zi sërish, e heq ndalesën për hyrje në vend, por me siguri me PCR test negativ.
Njëherit, sipas vendimit të Shtabit të krizave të Serbisë, të sjellur mbrëmë, për hyrje në vend të shtetasve nga Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania duhet të kenë PCR test negativ, i cili nuk do të jetë më i vjetër se 48 orë, me ç’rast restriksionet nuk do të vlejnë për qytetarët e Malit të Zi.
Ai vendim do të vlejë prej nesër, 15 gusht dhe nuk do të vlejë për shtetasit serbë të cilët vijnë nga territori i atyre vendeve, deklaroi epidemiologia Daria Kisiç Tepavçeviq pas mbledhjes së Shtabit të Krizës.
Ajo shtoi se periudha e caktuar prej 48 orë fillon të rrjedhë që nga momenti i dhënies së certifikatave nga ana e laboratorëve. Kisiq Tepavçeviq theksoi se vendimi i tillë është sjellë në bazë të vlerësimit të gjendjes epidemiologjike, si dhe në bazë të trendit të sëmundjes nga virusi korona.
Mali i Zi gjithashtu prej sot do t’i hapë kufijtë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnja e Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës. Siç deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, Boban Mugoça, për hyrje në Mal të Zi, sipas gjitha gjasave do të jetë testi negativ për virus korona ose testi serologjik ELESA.
Një pjesë e mediave prishtinase lajmëruan se Qeveria e Kosovës në seancën e mbrëmshme ka vendosur t’i hap kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës” me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë, duke vlerësuar se qytetarët e tre vendeve fqinje nuk do të kenë nevojë për testim me të cilin do ta dëshmojnë se nuk janë të sëmurë nga Kovid-19.
Megjithatë, anëtari i Qeverisë kosovare, Halil Matoshi në deklaratë për MIA-n saktëson se vendimi i Qeverisë “t’i hapë kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë, ka të bëjë me lehtësimin e procedurave doganore me ato tre vende dhe nuk do të thotë se hiqet obligimi i PCR-testit për qytetarët e Maqedonisë gjatë hyrjes në vend.
Ai deklaroi se bëhet fjalë për interpretim të gabuar nga ana e disa mediave, në një pjesë të kumtesës nga seanca e Kabinetit qeveritar.
“Ky vendim ka të bëjë vetëm me hapjen e disa vendkalimeve me ato vende, me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, por kjo nuk do të thotë se janë hequr masat e deritanishme dhe protokollet kundër pandemisë së Kovid-19. Do të thotë, mbesin në fuqi të gjitha masat të cilat Qeveria i ka miratuar më parë, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me hyrjen në vend të qytetarëve nga vendet e huaja”, sqaroi Matoshi.
Vendi ynë, sërish, mes të parave e vendosi kushtin për PCR test negativ për hyrje në shtet. Sipas vendimit të publikuar më 10 korrik, shtetasit e Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnja e Hercegovinës gjatë hyrjes në vendkalimin kufitar në territorin e shtetit tonë duhet të kenë vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi RT PCR SARS-CoV-2, të kryer 72 orë para hyrjes në vend. Njëherit duhet të plotësojnë edhe deklaratë me të dhëna personale për vendin e qëndrimit dhe periudhën kohore të qëndrimit. Nëse vetëm tranzitojnë mund ta kalojnë kufirin pa PCR-test.
Vendimi i Qeverisë ishte sjellur pas propozimit të Komisionit për Sëmundje Infektive pas shqyrtimit të gjendjes epidemiologjike aktuale në katër vende sipas informatave të fituara nga autoritetet mjekësore në ato vende.
Ndalesën për hyrje në vendet e BE-së Brukseli e vendosi më 1 korrik dhe ende është në fuqi. Qeveria bullgare vendosi pjesërisht t’i lehtësojë masat për hyrje në vend për pesë shtete, mes të cilave edhe Maqedonia e Veriut, me ç’rast nga 28 korriku shtetasit e Maqedonisë mund të hyjnë në Bullgari vetëm me PCR test negativ, jo më të vjetër se 72 orë. Sipas Qeverisë bullgae, vendimi për këto lehtësime është në kërkesë të sektorit turistik në vend.
Për dallim nga Bullgaria, Greqia e vazhdoi ndalesën për hyrje të shtetasve maqedonas deri më 31 gusht, për shkak të koronavirusit.