Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim të mërkurën gjatë ditës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Në këtë takim, është diskutuar për pandeminë COVID-19, dhe veprimet dhe masat që institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.
Kurti e njoftoi ambasadorin Abbott mbi mbarëvajtjen e vendimeve të deritanishme dhe për vendimet e reja që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë.
Ai rikujtoi se për të dhe Qeverinë në detyrë ruajtja e shëndetit publik mbetet prioriteti me i lartë, derisa vëmendje dhe kujdes i veçantë po i jepet edhe shëndetit të ekonomisë.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Abbott, vlerësoi punën e Qeverisë dhe institucioneve tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe përsëriti përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar.