I dënuari E.S., që po vuante dënimin në Burgun Bënçës ne Tepelenë, ka tentuar ditën e sotme të arratiset.
Ndërkohë në media kanë dalë pamjet nga burgu i Bënçës pak momente pas arratisjes së të dënuarit me inicialet E.S.
Në video duken policët duke kërkuar për të.
Drejtoria e Burgjeve njoftoi se i dënuari, po shoqërohej nga policët për në qeli pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe se gjatë kontrollit trupor, u ka ikur punonjësve nga duart dhe ka vrapuar rreth 200 metra, duke kaluar edhe rrethimin perimetrik.
“Falë reagimit të menjëhershëm të punonjësve të grupit të sigurisë së IEVP-së Tepelenë, të cilët u vunë në ndjekje direkte, i burgosuri u kap brenda pak minutave duke e kthyer sërish në qeli”, tha drejtoria e Burgjeve, transmetojnë mediat në Shqipëri.
Lidhur me ngjarjen janë njoftuar Policia e Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe janë duke vazhduar hetimet për rrethanat e ngjarjes, shkaqet, përgjegjësitë konkrete të punonjësve.
Shtetasi E.S, ka pasur masën e sigurisë “arrest me burg” që nga data 25.09.2019, i dyshuar për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetimet e menjëhershme për të vlerësuar, analizuar dhe hetuar ngjarjen.