E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
spot_img

Gjithçka filloi me gjarprin

- Advertisement -spot_img

Kinezët thuhet se e hëngrën gjarprin, dhe kështu filloi gjithçka. Gjarpri e helmoi Kinën, Kina Italinë. Kështu mbërriti edhe te ne, me shumë gjasë përmes Rrugës së Kombit.

Shkruan Fadil Lepaja

Mund edhe të mos jetë ashtu, në fund të fundit kush e di të vërtetën sot me median virtuale, kur secili është ekspert për gjithçka kur mençuria matet me numrin e pëlqimeve. Përkundrejt shumë paqartësive po pajtohemi me presidentin se virusi në mënyrë krejtësisht antikushtetuese ka cenuar të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve në mbarë botën. Njerëzit kanë të drejtë të lëvizin, derisa presidenti të mos e ndalojë me ushtri. Qeveria nuk mundet të marrë merita.

Tash dilema jonë qytetare është: Të dalësh, apo të mos dalësh, dhe kjo e merr kuptimin e asaj dilemës së famshme hamletiane: “ To be or not to be”. Po dole të “ha” virusi, e po nuk dole ka rrezik të të hajë “gjarpri”.

“Dilni, ose mos dilni si të doni. Unë jam këtu”, paska thënë virusi. Thuhet se ky ishte reagimi i tij spontan, në kërkesat e institucioneve – presidentit dhe qeverisë, drejtuar qytetarëve të Kosovës. Kërkesat përjashtojnë njëra-tjetrën dhe si pasojë dilema e qytetarëve është e madhe. Si të veprojnë?

Aktualisht, nëse i thjeshtëzojmë gjërat, qeveria, me masat që po i merr po pretendon se po kujdeset në radhë të parë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ndërkohë që presidenti deklarohet i shqetësuar për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, në këtë rast për të drejtën e qarkullimit të tyre, duke e shpallur ndalesën e qeverisë si antikushtetuese, dhe ftoi qytetarët të mos e respsektojnë atë. Ky i fundit paralajmëroi edhe ankesë të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë edhe kërkesën për pezullimin e kësaj mase të qeverisë. Nëse mblidhet, përgjigjja e Gjykatës pritet shpejtë dhe ajo është e obligueshme për të gjithë. Në mungesë të Parlamentit, edhe Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim me të cilin do të tejkalohej kriza politike në vend. Por, Parlamenti do të vendosë se me kë është Kosova: me Evropën apo me ShBA-në. Konjukturat globale po i matin forcat në sallën e vogël të Parlamentit të Kosovës.

Natyrisht, situata nuk është aspak për të qeshur, edhe pse pak humor nuk bënë dëm në këtë atmosferë të acaruar të luftës me virusin dhe luftës politike për pushtet në vend. Të gjithë e dimë se virusi nuk flet, por e kemi pa se ky virus po merr jetë njerëzish. E dimë se është barsoletë, por e dimë se është edhe epidemi. Pandemi, më saktë. Është globale. Qysh me ja ba? Me dalë, apo mos me dalë? Me Qeverinë apo me Presidentin? Me Evropën apo me ShBA-në? Dikur ishin bashkë. Presidenti Rugova, për të ruajtur miqtë dhe unitetin e brendshëm, bënte kompromise të brendshme të mëdha.

Pra, ishte vetëm barsoletë, se virusi nuk flet. Nëse virusi nuk flet, presidenti flet. Prej konference për shtyp, në tjetrën. Para do ditësh kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme, që nënkupton kufizimin e lirisë së qarkullimit, dhe kërkoi që ushtria të marr në dorë menaxhimin e krizës. Problemi me kërkesën e presidentit lidhet me marrëveshjet të cilat ai i ka nënshkruar në cilësi të ndryshme, që nga viti 1999 e këtej. Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë nuk mund të menaxhohet pa KFOR-in dhe KFOR-i nuk i përgjigjet presidentit të vendit. Si rezultat i kësaj përpjekje të presidentit për me e marrë përsipër menaxhimin e krizës me virusin, u krijua një krizë e dytë, një krizë politike dhe institucionale. Tash, derisa kohëzgjatja e krizës me virusin parashikohet të jetë fillimi i verës, kohëzgjatja e krizës politike nuk po mund të parashikohet.

Kur të mblidhet Gjykata Kushtetuese për të vendosur për kërkesën e presidentit, apo Parlamenti për të vendosur për mocionin e Isës, do të kemi më të kapshëm edhe epilogun e kësaj krize të dyfishtë. Ndërkohë mund edhe të ndryshojnë rrethanat. Pa virusin, gjithçka mund të jetë ndryshe, sikur pas çdo lufte të madhe. Mund të ndryshojnë, edhe heronjtë, edhe komandantët!

Pra, dilema qytetare pas kërkesës së presidentit që të mos respektohet vendimi i Qeverisë, është serioze. Epilog do të ketë, por a do të ketë edhe përgjegjësi? Pra, me dalë apo mos me dalë? Virusi po thotë, “qysh të doni, Këtu jam”! Gjarpri rrëshqet skenës politike të Kosovës…

- Advertisement -spot_img

Artikuj të ngjashëm

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,490AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img

Latest Articles

- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img

NA NDIQNI

7,235FansaPëlqeje
6,282NdjekësitNdjek
3,490AbonentëAbonohu
- Advertisement -spot_img