Numri i vdekjeve nga coronavirusi në Gjermani është rritur për 266, duke shënuar rritjen më të madhe ditore që nga fillimi i shpërthimit të virusit në vend.
Sipas institutit Robert Koch, deri më tani 2,373 persona kanë ndërruar jetë në Gjermani.
Ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara ka shkuar në 113 mijë, një rritje prej 5,323 në 24 orët e kaluara.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje njerëzve të enjten që të vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancimit shoqëror gjatë Pashkëve, duke shtuar se numri i personave të infektuar nga virusi po bie paksa.
“Zhvillimet e fundit na japin shpresë të kujdesshme”, tha ajo të enjten.
“Kurba e coronavirusit po rrafshohet pak dhe numri i të infektuarve aktualisht po bie paksa”, ka shtuar Merkel.