Los Angeles po u ofron të gjithë qytetarëve kryerjen e testit të COVID-19 pa pagesë, duke u bërë qyteti i parë i madh në SHBA që vepron kështu, raporton CNN.
“Kemi kapacitete, mos prisni, mos bredhni dhe mos rrezikoni duke infektuar të tjerët”, ka deklaruar kryetari i qytetit Eric Garcetti gjatë një konference për media.
Kjo mundësi do të jetë e qasshme nga sot pasdite, kurse Garcetti ka shtuar se nuk ka kufizime sa i përket numrit të testeve që banorët mund t’i kryejnë për të shuar çdo dilemë që ata kanë. Rezultatet e testeve mund t’i marrin pas 24 ose 48 orëve, nga momenti kur janë bërë.
Garcetti theksoi se testimi falas do t’ju kryhet vetëm banorëve të qytetit, kurse në ueb-faqen e komunës është bërë e ditur se banorët e periferisë së Los Angeles do të mund të lajmërohen ta bëjnë pa pagesë testin.
Të gjithë ata persona që kanë simptoma të COVID-19 do të kenë përparësi, e Garcetti u ka bërë thirrje të gjithë banorëve asimptomtatikë t’i nënshtrohen testit të coronavirusit.
“Nëse konsideroni se keni nevojë ta bëni testin, atëherë ejani. Dëshironi të jeni më i sigurt, bëjeni sa më shpejtë”, ka shtuar i pari i qytetit.
Ekzistojnë 34 vende ku mund të kryhen testet në Los Angeles, kurse kapacitetet janë 18 mijë brenda 24 orëve.