Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka vizituar dy fëmijët të cilëve iu vdiq nëna nga COVID-19 ditë më parë.
Kadaj-Bujupi përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të sigurojnë bursë të përhershme për dy fëmijët të cilët tashmë jetojnë vetëm.
Ajo theksoi se babi i tyre, ka qenë ish-luftëtar , i cili ka ndërruar jetë vite më parë, prandaj edhe fëmijët tashmë janë të vetëm.
“Sot vizitova Erblinin dhe Erblinën. Fatkeqësisht ditë më parë nëna e tyre humbi jetën nga virusi Covid-19. Babai, ish-luftëtar, ka ndërruar jetë vite më parë, ndërsa sot këta dy fëmijë jetojnë krejtësisht të vetëm. Unë i thërras së pari institucionet që të sigurojnë bursë të përhershme dhe atë menjëherë”, shkruan deputetja e AAK-së.
Po ashtu ajo u ka bërë thirrje njerëzve të vullnetit të mirë, që t’i ndihmojnë këta fëmijë.
“Gjithashtu thërras njerëzit e vullnetit të mirë që të lajmërohen dhe të ofrojnë ndihmën e tyre. Është kohë e vështirë, prandaj mund të ia dalim vetëm duke ngritur njëri-tjetrin lartë. Le të tregojmë kujdes dhe solidaritet tani kur duhet më së shumti. Së bashku t’i tregojmë Erblinit dhe Erblinës se nuk janë të vetëm në këtë betejë”,shkruan Kadaj-Bujupi.