Ballina Jetë Karierë Destani me apel drejtuar rrjetit global të bizneseve

Destani me apel drejtuar rrjetit global të bizneseve

Apel drejtuar: Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare si dhe Unioneve, Shoqatave e Fondacioneve të ndryshme në Diasporë

Motra e Vëllezër të nderuar,

Në këtë periudhë të vështirë pandemie të shkaktuar nga virusi Covid-19, si
-Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe si
-Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare,
e konsideroj themelore nevojën për t’i vënë në lëvizje strukturat tona me synimin që t’i dalim në ndihmë popullatës në trojet tona dhe jo vetëm.

Gjatë periudhave të vështira në të kaluarën, Diaspora shqiptare gjithmonë ka ditur të organizohet e të koordinohet madje shumë më mirë se në gjendje normaliteti.

Kërcënimet e rreziqet, çfarëdo të kenë qenë, gjithmonë na kanë bashkuar e na kanë bërë edhe më të fortë për t’i mposhtur e tejkaluar ato.

Përballja me pandeminë që ka pllakosur njerëzimin është një luftë botërore, është një e keqe nga e cila po kërcënohet i gjithë njerëzimi, madje nga një armik i padukshëm dhe jo plotësisht i njohur për shkencën e mjekësisë.

Bota Perëndimore, ku kryesisht gjendet diaspora jonë, aktualisht është shumë më e goditur se trojet tona por vendet perëndimore kanë institucione dhe sisteme shëndetësore shumë më të zhvilluara, kanë resurse dhe fuqi ekonomike që atyre ua bëjnë më të lehtë këtë betejë.
Vendet tona fatkeqësisht nuk i kanë këto kapacitete për t’u përballur me këtë të keqe.

Andaj u bëj thirrje të gjitha degëve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës sonë si dhe Shoqatave e Fondacioneve shqiptare për:

Koordinim në radhët tona dhe bashkërenditje të veprimeve për ndihmën e përbashkët humanitare dhe sinergjinë sociale në mbështetje të Institucioneve Shëndetësore dhe familjeve në nevojë në trojet tona. Përmes këtij aktiviteti, të sigurojmë pajisje të nevojshme për Shëndetësinë dhe mbështetje për familjet në nevojë, me produkte kryesisht të prodhuara në vendet tona. Në këtë mënyrë madje do të jepnim impakt të dyfishtë, social dhe ekonomik njëkohësisht.

Në këtë kohë pandemie që po kalojmë, – Le t’u dalim në ndihmë familjeve në nevojë në trojet tona, le t’u dalim në ndihmë sepse në këto ditë të vështira ata presin nga ne!

Përmes një organizimi të mirëfilltë ne do të mundohemi të arrijmë ta mbështesim çdo familje në nevojë, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, në Luginë, Mal të Zi, në Çamëri dhe kudo ku jetojnë bashkëvendësit tanë.

Jam fort i bindur se përmes një solidariteti të këtillë ne do të mundohemi t’ia dalim që asnjë familje mos të vuajë apo të ketë frikë për jetesën. Ne jemi të tyre, ata janë tanët.
I bindur për mirëkuptimin tuaj, personalisht shpreh gatishmërinë time për veprim.
Faleminderit Diasporës Shqiptare për çdo gjë që ka bërë e po bën për atdheun.
Ju uroj shëndet e të mira si dhe, e kalofshi sa më lehtë këtë periudhë pandemie.

Exit mobile version