Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka dalë në epërsi me vota kundrejt presidentit, Donald Trump në shtetin kyç të Xhorxhias, një gjë që mund të ndryshojë garën për Shtëpinë e Bardhë.
Ky lajm vjen vetëm pak orë pasi presidenti Trump bëri akuza, për të cilat nuk dha dëshmi, ndaj procesit zgjedhor në SHBA.
Me rezultatet e fundit, Biden është 917 vota para Trumpit në Xhorxhia, kanë raportuar disa media. Pa 16 votat elektorale të Xhorxhias, Trump nuk mund të arrijë shifrën prej 270 votash, që duhen që të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale.
Nëse Biden fiton në Xhorxhia, atëherë ai do të bëhej kandidati i parë demokrat, që prej se Bill Clinton fitoi në këtë shtet dhe u zgjodh president i SHBA-së më 1992.