Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë në Shkup, znj. Kristin Forsgren Bengtsson.
Ambasadorja Kristin Forsgren Bengtsson me këtë rast ka falënderuar Ahmetin për bashkëpunimin e suksesshëm mes dy vendeve në sfera të ndryshme përfshirë këtu edhe mbështetjen që Suedia i jep Maqedonisë së Veriut në procesin e rrugës drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.
Me ambasadoren suedeze, Ahmeti ka biseduar lidhur me çështjet politike në vend, çështjen me Republikën e Bullgarisë si dhe procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ku kanë diskutuar edhe mbi bisedimet që po zhvillohen mes Shkupit dhe Sofjes, si një nga shtyllat kryesore që vendi të vazhdojë rrugën e nisur drejtë BE-së.
Kryetari Ahmeti gjithashtu ka informuar nga afër ambasadoren suedeze mbi rëndësinë që ka realizimi me sukses i regjistrimit të popullsisë, proces ky që është një nga prioritetet dhe sfidat kryesore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti me ambasadoren suedeze znj. Kristin Forsgren Bengtsson kanë shkëmbyer mendime edhe mbi reformat që po bëhen në Maqedoni të Veriut, në sferën legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore përfshirë këtu edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.