Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Pas takimeve, presidenti në një konferencë për media tha se takimet do t’i vazhdojë edhe nesër me liderët e partive tjera politike, transmeton Telegrafi.
“Pavarësisht vështirësive që kemi nga coronavirusi, jeta institucionale në Kosovë vazhdon dhe natyrisht funksionimi i demokracisë. Sot kam takuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës jam i detyruar duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, për të filluar konsultat me liderët e partive në vend për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit e institucioneve të Kosovës apo themelimin e institucioneve reja, Qeverisë së re.
Takimet po mbahen në mënyrë që të krijojë një bazë të opinioneve apo të formësoj veprimet e mëtutjeshme që duhet t’i ndërmarrë si president pas shkarkimit të Qeverisë”, tha Thaçi para mediave, përcjell Telegrafi.
Presidenti pohoi se të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do t’i ndërmarrë pas konsultimeve me liderët e partive do të jenë transparente në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
“Do të jetë proces ligjor. Nesër do të vazhdojë me takime të tjera me liderët e partive tjera”, u shpreh ai.