12 arrestime dhe 2 padi penale është bilanci i fundit i aktiviteteve që i ka ndërmarrë Prokuroria Themelore Publike ndaj protestuesve për rastin “Monstra”.
Siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, paditë penale janë parashtruar ndaj një 19-vjeçari dhe 22-vjeçari, ndërkaq pritet të parashtrohen edhe ndaj tre të tjerëve, njëri i moshës 23-vjeçare dhe dy të moshës 20-vjeçare pasi të njëjtit janë identifikuar tashmë se kanë kryer veprën e njëjtë penale.
“Në lidhje me protestën që u mbajt të premten, 26.02.2021 është parashtruar kallëzim penal kundër 2 personave – Sh.B.(22) dhe B.D.(19) në bazë të nenit 385 – për pjesëmarrje në turmë për kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, nga Sektori i Punëve të Brendshme Shkup – Njësiti për krim nga Prokuroria Publike janë dorëzuar edhe dy njoftime për tre persona shtesë të identifikuar dhe atë: A.S.(23), B.K.(20) dhe F.I.(20) të cilët gjithashtu janë denoncuar në bazë të nenit të lartshënuar”, njoftojnë nga Prokuroria, transmeton TV21.
Shtojnë se do të ketë parashtresë edhe ndaj të miturve të cilët janë arrestuar ditën e premte, ndërkaq bëjnë të ditur se deri më tani janë arrestuar 12 protestues.
“Deri tani janë arrestuar 12 persona, kurse ndërmerren edhe masa shtesë për zbardhjen e rastit”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkaq dje u njoftuar se Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për 3 protestues, për çfarë numri i paraburgimeve ka arritur në 5.
Protesta e 26 shkurtit u mbajt për të shprehur revoltën për aktvendimin në rastin “Monstra”, ndërkaq u dërgua mesazh se shqiptarët duan rikualifikim edhe të rasteve tjera, siç thanë, “të montuara” sikurse “Almiri 4-vjeçar” dhe “Alfa”.
Arrestimet dhe paraburgimet po bëhen për shkak se protesta eskaloi, pasi kordoni policor pengoi marshin protestues, e ndërkaq këta të fundit në shenjë revolte sulmuan policë me gurë dhe shufra metalike.